
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë (projekti IPA), Muzeu i Polimles në Berane (mne. Polimski muzej u Beranama) ndërmori gërmime arkeologjike sistematike në fortifikatën Tumbarice që ndodhet në fshatin D. Ržanici afër Beranës. S’ka dyshim që bëhet fjalë për një nga fortifikatat më të mëdha të regjistruara dhe pjesërisht të eksploruara në hapësirën e Polimles malazeze. Është ndërtuar në fund të shekullit II ose në fillim të shekullit III pas Krishtit. E pushtuar, rrënuar e më pas e ndërtuar dhe rindërtuar, mbijeton deri në shekullin e shtatë ose në fillim të shekullit të tetë të erës sonë. Në Tumbarice u gërmuan hapësira e akropolit dhe e bedenave mbrojtëse juglindore, me kulla dhe kalime të lëna. Në akropol u zbuluan mbetjet arkitekturore të kishës dhe kapelës veriore, të punuara në dy faza ndërtimi, si dhe mbetjet arkitekturore të pallatit të klerit. Mbi bazën e shtresave stratigrafike dhe të një morie materialesh të luajtshme arkeologjike, dallohen qartë të gjitha fazat e jetës shumëshekullore të kësaj fortifikate. Gjatë punimeve, gërmimet janë bërë duke vendosur një rrjet katrore, me katrorë 4 x 4 metra, e cila mundësoi vëzhgimin e qartë të shtresave stratigrafike përgjatë mbetjeve të zbuluara arkitekturore dhe ndarjen e materialit lëvizës sipas shtresave të përcaktuara stratigrafike. Mënyra e ndërtimit të fortifikatës dhe moria e sendeve të gjetura për përdorim të përditshëm, stolive, pjesëve të veshjeve dhe armëve janë një pikënisje e mirë për përcaktimin e qartë kronologjik të fortifikatave të tjera në Polimle.